Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrelli, nesër do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të BE-së, ai në orën 14:00 të së enjtes do të takohet me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Pas takimit, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për medie.
Borrelli në Prishtinë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive politike si dhe ata të organizatave të shoqërisë civile.
Josep Borrell gjatë kësaj vizite do të lansojë një projekt të financuar nga BE për të përmirësuar cilësinë e ajrit në Kosovë si dhe do ta vizitojë Prizrenin.
“Mezi po e pres vizitën time të parë zyrtare në Ballkanin Perëndimor që tregon përkushtimin tonë ndaj perspektivës së BE-së për rajonin, stabilitetin e tij, sigurinë dhe prosperitetin. do të jetë përparësi gjatë mandatit tim dhe duke pasur parasysh vendosmërinë time personale për të avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja, kam dashur të vizitoj së pari Kosovën dhe Serbinë në rajon”.
” Ka shumë punë të rëndësishme përpara duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë zyrtari i lartë evropian në prag të vizitës në vendin tonë.
Pas Prishtinës, spanjolli do ta vizitojë Beogradin ku edhe atje do të ketë takime me liderë politikë përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, takim ky që do të pasohet nga një konferencë për shtyp.