Anthony Joshua i ka paralajmëruar dy rivalët e tij në kategorinë e peshave të rënda, Deontay Wilderin dhe Tyson Fury, duke thënë se ai vetëm do të përmirësohet me kalimin e kohës.
Kampioni botëror i IBF, ËBA dhe ËBO, Anthony Joshua, ende nuk është përballur as me Deontay Wilderin e as me Tyson Furyn këtë sezon, pasi që tentimet për ta organizuar një meç të tillë kanë dështuar disa herë.
Wilderi ka bërë të ditur se ai nuk do të përballet me Joshuan deri të paktën vitin tjetër dhe se britaniku duhet të presë për tri meçet e tij të radhës. Ndërsa, Fury ka sugjeruar se nuk planifikon të ndeshet fare me Joshuan në të ardhmen.
“Sa më gjatë që presin Wilderi dhe Fury, aq më e vështirë do të jetë për ta pasi që unë nuk jam boksier i para dy vjetëve. Jepmëni edhe një apo dy vjet tjerë dhe unë do të zhvillohem edhe më shumë”, ka thënë ai për BBC Sport.
Joshua gjithashtu ka deklaruar se ai beson që dyshja Wilder-Fury duhet të jenë të vetëdijshëm për përmirësimin e tij që nga fitorja kundër Wladimir Klitschkos, në prill të vitit 2017.
“Kam arritur deri këtu me fuqi, guxim dhe zemër. Kam shpëtuar përkundër gabimeve. E kam kuptuar se nuk mund ta vazhdoja rrugëtimin tim ashtu. Pas Klitschkos, mendova: “Edhe sa meçe mund të kem kështu para se të mos bëj gabime të tjera?”, shtoi Joshua.
“Si stërvitem për t’u bërë më i mençur në ring? Më pak sasi, më shumë cilësi. Kjo gjë nuk ndodhi sa hap e mbyll sytë. Më janë nevojitur dy vjet për ta implementuar dhe ky është kampi i parë ku me të vërtetë po e shohim zhvillimin”.
Joshua është për momentin i përqendruar te meçi i tij i radhës në Nju Jork më 1 qershor, kur do të përballet me Andy Ruiz Jr.