Anthony Joshua ka bërë të ditur se preferon që rimeçi me meksikanin Andy Ruiz Jr. të mbahet në Britani të Madhe, ndërsa opsion i preferuar i tij është stadiumi “Principality” në Cardiff.
Joshua u befasua nga Ruiz në qershor, kur u ndal me ndërprerje në raundin e shtatë në duelin për tituj të botës, në peshën e rëndë, në boksin profesionist. Ishte një mbrojtje vullnetare e titujve WBA, WBO, IBF dhe IBO nga ana e Joshuas në meçin që u mbajt në “Madison Square Garden” të New Yorkut, shkruan “Daily Mail”, transmeton “Koha Ditore”.
Ai humbi titujt dhe Ruiz u bë kampioni i parë meksikan në peshën e rëndë në boks.
Joshua ka shfrytëzuar klauzolën për rimeç të menjëhershëm dhe negociatat janë duke vazhduar për datën dhe vendin.
Javën e kaluar Ruiz tha se do të refuzojë të ndeshet në Britani të Madhe, pas daljes pozitiv në test të dopingut të boksierit tjetër britanik Dillian Whyte. Ai tha se meçi me Joshuan do të ishte i kurdisur, por Joshua thotë se ai do të ketë fjalën e fundit se ku do të mbahet rimeçi, e jo Ruizi.
“Ruizin e kam parë se ka folur shumë për atë që do, por kjo është punë ekipore. Unë nuk e kam problem të ndeshem me të në Amerikë, e kam bërë një herë dhe do të doja tash të ndeshemi në Britani. Unë kam shkuar në SHBA, kështu që për rimeçin tash do të doja të ishte në Cardiff. Mirëpo, nëse do të jetë në fushë neutrale, atëherë le të ndodhë. Por unë do të luftoj që të mbahet në Britani, pasi është vendi im. Unë e kam bërë një meç në Amerikë me të, le të bëjmë rimeçin këtu”, ka thënë Joshua për “Sky Sports”.