Anthony Joshua ka premtuar të “rikonstruktojë fytyrën dhe trupin” e Jarrell Millerit, ndërsa dy rivalët e peshës së rëndë kanë mbajtur një konferencë tjetër për media të nxehtë, të hënën.
Dy boksierët do të përballen në “Madison Square Garden” të New Yorkut më 1 qershor, ku Joshua do të mbrojë titujt e botës në versionet IBF, WBA dhe WBO kundër amerikanit Miller. Për Joshuan do të jetë meç debutues në SHBA.
Pas konferencës për media në SHBA javën e kaluar, kur Miller shtyri Joshuan, rivalët e peshës së rëndë sërish ishin përballë njëri-tjetrit të hënën, por kësaj here në Londër.
“Nuk ka shumëçka që mund t’i bëjë asaj fytyre, por unë do t’ia rikonstruktoj fytyrën atij”, ka thënë Joshua i zemëruar. “Kjo është e gjitha që di. Kjo është ajo që bëj. Unë e di si të rrëzoj njerëzit dhe si t’i mposht ata. Gjithë këtë shpirt që ka ky djalë, duke folur gjepura, do t’ia zhvesh. Do të zhvesh nga çdo fije shpirti që ka. Shikoni fytyrën e tij, unë do t’ia rikonstruktoj më 1 qershor. Unë e bëj punën time, jam boksier i mirë, kam goditje të fortë dhe kam mposhtur kundërshtarë më të mirë se çdonjëri në peshën e rëndë. Vendi i punës sime do të jetë SHBA-ja dhe unë do të jem kirurgu nga Mbretëria e Bashkuar”.