Boksieri britanik Anthony Joshua dëshiron të ketë një takim në katër sy me Deontay Wilderin, për të aranzhuar përballjen për të katër titujt e mëdhenj të botës në peshën e rëndë. Joshua dëshiron të aranzhojë këtë menjëherë pas meçit me Andy Ruiz Jr. në fundjavë, nëse e fiton atë përballje, gjë që pritet.
Të martën mbrëma kampioni i versionit WBC, Wilder ka konfirmuar se është arritur marrëveshja për rimeç me kubanin Luis Ortiz, duke shtyrë edhe më tej përballjen me Joshuan, boksierin që mban titujt WBA, IBF dhe WBO, shkruan sot Koha Ditore.
Joshua ndërkohë të shtunën mbrëma në New York do të përballet me meksikano-amerikanin Ruiz.
“Unë do ta kontaktoj Wilderin dhe të shoh nëse mund të ulemi bashkë. Ajo që thonë njerëzit para kamerave është ndryshe nga ajo që thuhet në një takim sy më sy. Kështu që duhet të ulemi si burrat dhe të shohim situatën”, ka thënë Joshua.
Wilderi ka fituar 41 nga 42 meçet e tij, ndërsa ka barazuar një në mënyrë kontroverse me britanikun Tyson Fury në dhjetor të vitit të shkuar.