Judah: Rusisë i konvenon marrëveshja Serbi-Kosovë për ndryshim kufijsh

Prishtinë | 13 Nën 2018 | 13:45 | Nga Ekonomia Online

Sipas vlerësimit të analistit britanik, porosia e cila me takimin Putin-Thaçi i dërgohet kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq është: “Vazhdo”

Gazetari i analisti britanik, Tim Judah, ka vlerësuar sot se Rusia do të kishte dobi të madhe në qoftë se rezultat i bisedimeve të Beogradit e Prishtinës do të ishte këmbimi i territoreve.

“Rusia do të mund ta shfrytëzonte këtë precedent në tentim që të sigurojë përgjigje të ngjashme për territoret secesioniste, të cilat janë nën kontrollin e saj në Moldavi (Transdnjestri) e Gruzi (Osetia Jugore dhe Abhazia), i ka thënë Tim Judah agjencisë serbe Beta.

Duke komentuar takimin e kryetarit të Rusisë Vladimir Putin e Hashim Thaçi gjatë shënimit të 100-vjetorit të armëpushimit në Luftën e parë botërore, të dielën në Paris, Judah ka përkujtuar se “në vitin 2014, kur Rusia e ka marrë Krimenë, Putini e ka përmendur Kosovën si precedent.

“Pra, është e logjikshme që edhe në të ardhmen do të përdorë Kosovën në dobi të Rusisë”, ka shtuar ai.

Judah ka vlerësuar se takimi Thaçi-Putin në Paris është shenjë se Rusia do të mbështeste idenë mbi këmbimin e territoreve.

“Putini ka thënë se do të mbështesë gjithçka për çka Serbia e Kosovë merren vesh… Po të ishte kundër, do ta thoshte këtë qartë, si (kancelarja gjermane Angela) Merkel, por ai ka thënë se do të mbështesë për çka do që (Beogradi e Prishtina) merren vesh, e kjo është esenca e asaj për çka po bisedohet tash”, ka thënë Judah.

Sipas vlerësimit të analistit britanik, porosia e cila me takimin Putin-Thaçi i dërgohet kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçi1 është: “Vazhdo”.

Për Putinin, ka shtuar ai, ka kuptim perfekt që të mbështesë ndryshimin e kufijve në rastin e Kosovës, sidomos pasi që Rusia e ka njohur Osetine e Jugut e Abhazinë, ndërsa tash ka probleme me Ukrainën.

“Sikur disi edhe të tjerët të mund të pranonin ndryshimin e kufijve, kjo do të ishte rrugëdalje për të (Putinin) dhe mënyrë për Rusinë që të legalizojë rrëmbimin e territoreve nga shtetet fqinje”, ka thënë Judah ndonëse, siç ka shtuar, nuk beson se kështu do të përfundojë për Putinin.

Ai ka shtuar se nuk duhet harruar se Putini kujdeset për interesat e tij, e jo për interesat e Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme