Juventusi ka konfirmuar se Daniele Rugani dhe Blaise Matuidi janë shëruar plotësisht nga sëmundja Covid-19, por jo edhe sulmuesi argjentinas Paulo Dybala.
Lojtarët e Juventusit shkuan sot në qendrën stërvitore për t’iu nënshtruar testeve para se t’i rifillojnë stërvitjet, gati dy muaj pasi futbolli u pezullua për shkak të pandemisë koronavirus.
Në një komunikatë për media, kampioni italian tregoi në hollësi për veprimet e ndryshime që klubi është duke i marrë për t’i respektuar udhëzimet e Qeverisë së Italisë, përfshirë pastrimin e të gjitha sipërfaqeve të punës, përfshirë autobusin e ekipit.
“Rugani dhe Matuidi iu nënshtruan, sipas protokollit, testeve të dyfishta diagnostikuese për koronavirus Covid-19. Testet e tyre dolën negative. Pra, lojtarët në fjalë janë shëruar më 15 prill dhe nuk janë më në vetizolim”, thuhet në njoftimin e Juventusit.
Për Dybalan është thënë se vazhdon të jetë me koronavirus, edhe pse nuk ka më simptoma.
E dashura e tij Oriana tha se ata janë duke e pritur rezultatin e testin përfundimtar.