Pasi e siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ri, Juventusi e ka aktivizuar klauzolën e blerjes së Federico Chiesas nga skuadra e Fiorentinas, është konfirmuar të hënën në sajtin zyrtar të skuadrës torineze.
Chiesa iu bashkua Juventusit në vitin 2020 me detyrim të blerjes për 40 milionë euro.
Krahas 40 milionë eurosh që do t’i paguajë brenda tre vjetësh, Juventusi ka paguar edhe dhjetë milionë euro për huazimin dyvjeçar të Chiesas.
Sulmuesi i krahut aktualisht është i lënduar prej fillimit të këtij viti, por me fanellën e Juventusit ka shënuar 18 gola në 61 paraqitje në të gjitha garat.
24-vjeçari do të firmosë kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2026.