Drejtuesit e Juventusit i kanë kontaktuar përfaqësuesit e trajnerit të Chelseat, Maurizio Sarrit, pasi që ata besojnë se italiani mund të jetë personi i duhur për ta zëvendësuar Massimiliano Allegrin.
E ardhmja e Maurizio Sarrit në Stamford Bridge mbetet e pasigurt, përkundër që “Blues” janë në finale të Ligës së Evropës, ku do të përballen me Arsenalin në Baku, para se të përfundojë sezoni 2018/19.
Kampioni i Serisë A, Juventusi, ka shprehur interesim edhe për Simone Inzaghin e Lazios dhe Mauricio Pochettinon e Tottenhamit. Për këtë të fundit është spekuluar më së shumti nga të gjithë trajnerët deri më tani.
Vetë kushëriri i Pochettinos, Daniele, ka sugjeruar se argjentinasi do të ishte i interesuar për një transferim në Itali dhe kishte zbuluar se të gjithë familjarët dëshirojnë ta shohin atë në Juventus.
Në anën tjetër, Goal.com raporton se Juventusi tashmë i ka kontaktuar përfaqësuesit e Sarrit për ta diskutuar mundësinë e emërimit të tij në pozitën e trajnerit të Juventusit. Sarri ka ngjallur interesim edhe te Roma, që është në kërkim të zëvendësuesit të Claudio Ranierit.
E ardhmja e Sarrit në Chelsea është ende e dyshimtë, pasi që ai e ka pasur të vështirë ta përmirësojë marrëdhënien e tij me tifozët e klubit, pasi ishte fishkëllyer dhe kritikuar shumë herë gjatë këtij sezoni debutues të tij në Angli.
Ai vendosi të mos i duartrokasë dhe të mos i përshëndetë tifozët në dy ndeshjet e fundit, ku është vërejtur numri i ulët i të pranishmëve në stadium. Tifozët janë të irrituar edhe me stilin e lojës të Sarrit.