Juventusi nuk do të dëgjojë asnjë ofertë për Kenan Yildiz

Prishtinë | 10 Qer 2026 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Pavarësisht zërave të shumtë që e kanë lidhur me një largim nga Juventusi gjatë javëve të fundit, Kenan Yildiz nuk do të largohet nga Torino.

Sipas raportimit të gazetarit Fabrizio Romano, drejtuesit e Juventusit e konsiderojnë talentin turk si një pjesë kyçe të projektit afatgjatë dhe nuk kanë ndërmend të dëgjojnë oferta për të, pavarësisht interesimit të fortë nga Arsenali.

Në ditët e fundit, mediat angleze raportuan se “Topçinjtë” po monitoronin nga afër situatën e 21-vjeçarit dhe po shqyrtonin mundësinë e një oferte të rëndësishme. Megjithatë, qëndrimi i Juventusit është i qartë: Yildiz nuk është në shitje.

Sulmuesi ofensiv zhvilloi një sezon shumë të mirë me fanellën bardhezi, duke realizuar 11 gola dhe duke kontribuar me nëntë asistime në 47 paraqitje gjatë edicionit 2025/26. Paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e klubit se ai duhet të jetë figura qendrore e skuadrës në vitet e ardhshme.

Juventusi po punon për të forcuar ekipin me afrime të reja, me emra si Brahim Diaz dhe Alexander Sorloth që përmenden si objektiva të merkatos, por në të njëjtën kohë klubi dëshiron të ruajë lojtarët më të rëndësishëm të projektit.

Yildiz ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2030 dhe konsiderohet një nga asetet më të vlefshme të klubit. Për këtë arsye, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” nuk planifikojnë asnjë negociatë për largimin e tij, duke e bërë të qartë se e ardhmja e talentit turk mbetet në Torino.

Të ngjashme