Sa bukur tingëllon, kjo u tha sot nga qeveria e Kosovës. Në parim, çdo iniciativë që fuqizon të rinjtë dhe tjerët është pozitive. Por më befasoi mënyra sesi qeveria dëshiron të adresojë problemin më serioz të vendit: rininë. Kur themi “ka ardhur koha”, ne po themi indirekt që deri tash nuk paska qenë koha, ose nuk e kemi ditur. Në skenarin më të keq, kjo nënkupton “nuk kemi investuar në rini, kemi gabuar”.
Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, për shkak se ky është një problem i trashëguar me dekada. Kam thënë disa herë që kemi problem kronik të mungesës së resurseve dhe si pasojë shumë politika zhvillimore mbesin pa u investuar. Është vështirë me gjetë resurse për investime se ke 1 milion nevoja për të investuar në të njëjtën kohë. Për këtë arsye nuk investohet në shume sektorë dhe kemi probleme socio-ekonomike.
Të kthehemi tek tema. Rinia po largohet nga vendi dhe kjo është tema kryesore. Kjo po shkakton telashe në ekonominë e vendit, po rrit kostot e shërbimeve dhe prodhimit (në kohë inflacioni) dhe po zvogëlon kapacitetin blerës. Dmth ndikimet afatshkurtëra janë të multidimensionale. Në këtë dekleratë të qeverisë ku i tha ‘koha për investime serioze për rini’ fjala është për një strategji që do të filloj tek në 2024! Në anën tjetër problemi është i menjëhershëm, pra nga kjo nuk kemi shpresa se do të zgjidhet problemi jonë imediat.
Për më tepër, kjo problematikë nga qeveria po synohet të zgjidhet përmes një dikasteri e sektori sic është Ministria e Kulturës dhe Sportit. A nuk është ky një problem socio-ekonomik dhe kërkon intervenime kryesisht në ekonomi, në treg të punës dhe në biznesbërje? Gjithashtu kjo ministri ka buxhet shumë modest dhe programet e saja janë zakonisht për art, kulturë dhe sport.
Kurgjo të keqe në parim, mendoj që ministria ka bërë punë të mirë dhe shoh që po angazhohet të pasuroj jetën kulturore dhe sidomos kanë një qasje të qëndrueshmërisë dhe efektit afatgjatë në investime që bëhen. Sa i përket kulturës dhe artit, po funksionon në parim. Por të adresohen problemin e të rinjve nga ky sektor është një qasje e ngushtë dhe e pamjaftueshme që nuk do jep rezultatet që nevojiten.
Ne na duhet një qasje dhe koncept më gjithëpërfshirës. Strategjia për Rini duhet të kaloj nga Ministria e Kulturës tek Kryeministri dhe të dizajnohen dhe zhvillohen programe multi diciplinare që në thelb kanë shkathtësitë e rinisë, nevojat dhe potencialet e tregut të punës dhe mbi të gjitha bërjen e rinisë tonë më ndërmarrëse, transformim i rinisë në ndërmarrës dhe teknolog.
Qeveria e ka projektin e ‘Super Punës’ dhe shumë mirë që është. Ajo kishte të hapura shumë vend të punës dhe po promovohet intensivisht nga qeveria thuajse dëshirojnë me bartë mesazhin që kemi shumë vend të punës por nuk po aplikohet sa ne po ofrojmë. Kjo nuk mjafton. Qasja me holistike më gjithëpërfshirëse nevojitet për zgjidhje të qëndrueshme dhe funksionale. Gjithashtu “timingu” dhe koha ka shumë rëndësi. Mu krijua përshtypja nga sot që qeveria është në dijeni që është temë urgjente dhe duhet investuar shumë, por në anën tjetër thanë “e kemi fjalën prej 2024 e deri 2032”.
Çfarëdo programi për rini apo bizneset që është më pak se vlera e 1 miliardë euro nuk është serioz dhe është i pamjaftueshëm. Qeveritarët do thonë menjëherë “ku ti marrim ato 1 miliardë?”. Zhvillojeni ekonominë. Përkrahni bizneset të rrisim bazën e ekonomisë dhe buxhetit publik. Qeveria është aty për të gjetur zgjidhje dhe këto janë problemet imediate që kërkojnë veprime serioze menjëherë.