Ramazan Meta, vëllai i Pëllumb Metës që u vra nga fëmijët në Shënavlash të Durrësit thotë se shkak i kësaj ngjarje të rëndë është kunata e tij, Blerina Meta. Ai tregon se me vëllain ka pasur marrëdhënie normale dhe se ai nuk ishte i dhunshëm, madje ka punuar fort që fëmijëve të mos iu mungonte asgjë.
“E shoqja krejt e ka bërë, pregatitja është bërë nga ajo. Ti ndash fëmijët ti nga njëri tjetri, fëmijët e kanë marrë kot përsipër atë punë. Vëllai im punonte ditë natë po paska qenë duke jetuar me kriminelë”, u shpreh Ramazan Meta.
Ramazan Meta i bën thirrje policisë dhe prokurorisë që të thellohen në hetime për të zbardhur të vërtetën krimit të rëndë.
“Vetëm hetuesia e zbardh këtë punë, të dalë e vërteta, ajo i ka fut kalamajtë me shpëtu veten. Nuk ha kush bar sot”, tha ai.
Sipas dëshmive që kanë dhënë fëmijët, Pëllumb Meta u vra në banesën e tij në 10 shkurt dhe u deklarua i zhdukur pas tre ditësh. Autorësinë për vrasjen e tij e ka marë vajza Hygerta Meta. Por ndërkohë një ditë më parë gjykata vendosi t’i lërë në burg dy vëllezërit dhe motrën e tyre pasi ata kanë dhënë vazhdimisht dëshmi kontradiktore.
Sipas policisë Pëllumb Meta është vrarë më 10 shkurt nga djali i madh, Hysen Meta dhe për të fshehur trupin e të atit ishte ndihmuar nga djali i vogël, Amarildo 21-vjeç dhe vajza Hygerta, 19-vjeçe. Ndërkohë, nëna e tyre Blerina Meta po hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.