Kabineti i Osmanit takim me zyrtarin e DASH, i kërkojnë kthimin e dialogut strategjik SHBA -Kosovë

Prishtinë | 10 Dhj 2025 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Shefja e stafit të Presidentes, Learta Holla bashkë me këshilltaren Kryesore për Politikë të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe Këshilltaren Politike, Donika Kadaj-Bujup kanë pritur në takim Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, gjatë takimit u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet dypalëshe, si dhe domosdoshmërinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe, si siguria, ekonomia dhe politikës e jashtme.

“Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta. U potencua gjithashtu angazhimi i Presidentes Osmani për forcimin e koordinimit të përhershëm me institucionet amerikane dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat me interes të dyanshëm”.

“Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e procesit të rregullt zgjedhor, zhvillimet e fundit të sigurisë, si dhe nevoja për krijim sa më të shpejt të institucioneve pas zgjedhjeve. Në takim u rikonfirmua përkushtimin për të çuar përpara projektet strategjike, nxitjen e investimeve amerikane në sektorët me potencial të lartë dhe avancimin e objektivit të përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Të ngjashme