Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar dy pilotët e NATO-s që ranë dëshmorë në Kosovë gjatë fushatës 78 ditore të bombardimeve.
Ai tha se kombi shqiptar gjithmonë do t’i kujtojë dhe do të jetë mirënjoës, njofton Klan Kosova.
“Sot kujtojmë dy pilotët amerikanë të rënë 21 vjet më parë, gjatë fushatës 78 ditore të bombardimeve që NATO-ja ndërmori për t’i ardhur në ndihmë popullit tonë. Pilotët David A. Gibbs dhe Kevin L. Reichert, humbën jetë në mision pranë kufirit të Kosovës duke rënë dëshmorë të aleancës atlantike në luftën për çlirimin e Kosovës. Kombi shqiptar përgjithmonë do të nderojë këta heronj dhe do të jetë përjetë mirënjohës për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë dhënë për të arritur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Veseli kritikoi Qeverinë në detyrë se ka prishur aleancën me partnerët strategjikë.
“Një ndër aktet më të papërgjegjshme e të dëmshme që ka bërë qeveria e shkarkuar, ka qenë dëmtimi i raporteve me partnerët tanë strategjik. Marrëdhëniet e ngushta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë thelbësore për interesat tona shtetërore. Miqësia e fortë është gjithashtu vullnet i qartë e i sinqertë i popullit tonë, që në shumë anketa ndërkombëtare, për vite me radhë, renditet si populli më pro-amerikan në botë. Prandaj, është e domosdoshme që të gjitha institucionet shtetërore, të angazhohen sa më shpejtë, që të rimëkëmbin e konsolidojnë këto raporte bilaterale jetike me aleatët tanë”.