Kuvendi duhet të mblidhet dhe me 2/3 e deputetëve dhe të shpërbëjë Kuvendin, kështu ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.
Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbledhur Këshillin Drejtues në një takim, në të cilin është folur rreth situatës aktuale politike në vend.
Në një prononcim për Televizionin Publik, kreu i PDK-së ka deklaruar se Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe të shkohet në zgjedhje.
“Edhe një herë, zgjedhjet janë të pashmangshme. Partitë politike vetëm po bëjnë deklarate, duhet të merret vendime dhe me 2/3 do të shpërbëhet Kuvendi”, ka thënë ai.
Lidhur me takimin e thirrur nesër ka Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, Veseli ka thënë se ajo që është kryesore tani është komunikimi i partive me presidentin.
“Nuk ka të bëjë kjo fare me asnjë individ. Ajo që është kryesore është komunikimi instuticional, i partive politike me presidentin. Vet duhet ta shpërbëjmë kuvendin, nuk kemi nevojë ta zgjasim më shumë. Duhet të shkojmë te qytetarët, ata na kanë votu dhe ne duhet të shpërbëjmë tani Kuvendin”, deklaroi ai.
Kujtojmë se Haradinaj këtë pozicion ka ftuar NISMA’n dhe AKR-në në një takim nesër, për çka ai do të flet për koalicionin e mundshëm parazgjedhor NISMA-AKR-AAK.