Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në Vushtrri, ku ka premtuar rritje ekonomike dhe fuqizim të grave e të rinjve.
Veseli, i shoqëruar nga ish-ministri i Financave, Besim Beqaj, ka bashkëbiseduar me afaristët vushtrrias, në fabrikën “Binni”.
Me këtë rast, kreu i Partisë Demokratike premtoi se me Fillimin e Ri, vendi do të ketë rritje ekonomike minimumi 8 për qind.
Veseli ka thënë se shteti duhet të investojë te ndërmarrësit dhe bizneset vendore. “Ne jemi sot këtu në zemrën e kësaj kompanie, sepse një Fillim i Ri për Kosovën fillon me vende të punës”, u shpreh Veseli.
Ai ka thënë se është i lumtur që Haradinaj e ka pranuar ftesën e tij për ta jetësuar së bashku një Fillim të Ri për Kosovën.
“Vetëm imagjinoni sa shumë vende të tjera të punës kemi mundur t’i kemi te ‘Binni’ ose te kompanitë e ngjashme, nëse qeveria jonë do ishte me e fokusuar në rritjen e vendeve të punës në prodhim dhe nëse do i ndihmonte kompanive të kishin qasje në tregje të reja për eksport të produkteve në Evropë”, ka thënë Veseli.
Në këtë bashkëbisedim Veseli ka prezantuar edhe pjesë të platformës Fillimi i Ri për rininë. Mes tjerash, Veseli ka premtuar ndërtimin e shpejtë të stadiumit për Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.
Ish-deputeti i PDK-së, Besim Beqaj, tha se me “Fillimin e Ri” do të krijohet platforma për rritje ekonomike. Ai tha se do të ketë reforma fiskale, kurse fokusi është përkrahja e prodhimtarisë vendore.
Ai tha se sektori i bujqësisë ka nevojë për infrastrukturë për ujitje dhe mbrojte nga fatkeqësia natyrore.
Kurse, Lekë Musa, këshilltar ekonomik i kryetarit Veselit, tha se qeveria e ardhshme do të përkrah bizneset në të bërit biznes gjatë rrugëtimit të tyre.
Ai veçoi se për qasje në kapital qeveria e re do të mundësojë krijimin e fondit dhe mundësi financimi për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, sepse këto janë çelësi i krijimit të vendeve të reja të punës. “Kapitali njerëzor është pasuria më e madhe që ka Kosova”, tha Musa, i cili theksoi se nevojitet aftësimi i këtyre punëtorëve për nevojat e bizneseve.
Sipas tij, nevojitet gjithashtu një reformë dhe trajtim me prioritet i lëndëve kontestimore të bizneseve.