Kadri Veselit i ndahet titulli “Mik i SHBA-së”

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Shoqata “Miqtë e Amerikës” e ka nderuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me titullin “Mik i SHBA-së” (FRIEND OF THE USA).

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, i cili ka kujtuar se Veseli i ka mbështetur pa hamendje për aktivitetet e organizuara me karakter pro-amerikan.

Veseli aktualisht ndodhet në Hagë, së bashku me Hashim Thaçin, dhe drejtues të të tjerë të UÇK-së, ku po përballen me akuzat e ngritura nga Dhomat e Specializuara.

“E di që shumëkush nga vendorët e ndërkombëtarët do të ma marrin për të keq këtë veprim, por edhe shumëkush do ta pranojë si veprim shumë të qëlluar njerëzor e politik”, ka thënë Rexhepi, në një shkrim dërguar Ekonomia Online.

“Ky titull në të ardhmen do t’u ndahet shumë personaliteteve/individëve”, ka shtuar ai.

“Këtë veprim e kam marrë në emrin tim, pa asnjë lloj interference. Ata që më përcjellin në Facebook e më kanë përcjellë gjatë deklaratave publike në mediume të shkruara e elektronike e kanë vërejtur që unë shpesh herë kam deklaruar që z. Veseli asnjëherë nuk është hamend (dhe për përkrahjen e dhënë, asnjëherë nuk ka kërkuar kundërveprim), kur i kam kërku përkrahje për aktivitetet e organizuara me karakter PRO Amerikan”.

“DEKLAROJ: Ky është e do jetë obligim i imi moral ndaj të gjithë atyre që më kanë përkrahë, më përkrahin e do të më përkrahin në të ardhmen, pavarësisht përkatësisë nacionale, politike, fetare, gjinore”, ka theksuar Rexhepi.

Rexhepi ka shtuar se ata që i respektojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë dhe miqtë e tij, do t’i respektojë dhe do t’u ndajë mirënjohje.

“Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë SHBA-në!”, ka shkruar kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme