Pronarët e lokaleve të njohura si “Kafet e Vogla”, në rrugën “Fehmi Agani” në kryeqytet, kanë paraqitur pakënaqësitë e tyre lidhur humbjet që po u shkaktohen si pasojë e zvarritjes së punimeve nga Komuna e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Pronari i kafeterisë “Lips Bistro”, Veton Zuka, tha për gazetarët se zvarritja e punimeve në këtë rrugë po u shkakton humbje bizneseve. Ai ka kërkuar nga Komuna që për ta të krijohen lehtësira në mënyrë që, siç tha, të kompensohen humbjet.
Zuka, i cili shoqërohej në këtë konferencë nga drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, përmendi taksën komunale e cila është më e shtrenjtë gjatë verës dhe kërkoi lehtësira në pagesën e qirasë për tarraca.
“Nëse veç ka vonesë, iu kanë dalë punime ekstra gjatë punimeve, së paku ndonjë lehtësim në bazë të ligjit si e kanë nuk e di. Vera veç ka filluar, terasat duhet me i pagu. Kështu ndoshta do të kishte mundësi për ndonjë lehtësirë për pagesë ose me ndonjë kompensim çfarë do që do të kishte mundësi komuna, sepse jemi dëmtuar shumë të gjitha bizneset. Lehtësirat janë me mirëkuptim prej komunës. Është taksa komunale që na e paguajmë 12 muaj, 6 muaj dimër që është më lirë dhe 6 muaj verë është pak më shtrenjtë”.
Zuka ka shtuar se shpresojnë se të hasin në mirëkuptimin e komunës. Ai tha se nuk kanë ndonjë përqindje të humbjeve, por këtë e dinë në bazë qarkullimit në përgjithësi.
“Shpresoj që do të gjejmë mirëkuptim në atë esencë. Me ditë pune janë 34 por me kohë tonën, sepse ne punojmë çdo ditë, është pak më gjatë dhe neve na ka lodhur”.
Zuka ka mirëpritur punimet për të zgjidhur problemin me kanalizm sepse tha që janë përballur me kundërmime, por theksoi dëshirojnë që punimet të përfundojnë sa më parë, në mënyrë që ata të vazhdojnë punën.
Drejtori i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, deklaroi se i kuptojnë brengat e bizneseve dhe për këtë shkak pritet që rruga “Fehmi Agani” të asfaltohet deri në fillim të qershorit. Ai bëri të ditur se punimet janë në ditën e 34-të dhe pritet që zgjasin 60 ditë.
“Sot jemi në ditën e 34-të të punës dhe sipas kontratës ky projekt do të përfundojë [brenda] 60 ditë pune. Ne i kuptojmë brengat dhe hallet e lokaleve, për këtë arsye jemi duke u munduar që në fillim të muajit të përfundojë kjo rrugë me asfaltim deri te kryqi, te qendra e regjistrimeve. Kjo infrastrukturë, investim i komunës është në interesin dhe kërkesën e lokaleve”.
Mehmeti tha se se punimet në këtë zonë kanë qenë kërkesë e vet bizneseve për të eliminuar problemet me kanalizim. Sipas tij pas këtyre punimeve do të bëhet zgjidhje për 30 vjetët e ardhshme.
“Me kërkesë të tyre, për arsye se kanë pasur telashe të jashtëzakonshme me kanalizim. Shumica e lokaleve kanë telashe me kanalizim, ne kemi vendosur të fillojmë me punime që të përfundojë kanalizimi fekal dhe atmosferik”.
Mehmeti tha se nëse bizneset kanë kërkesa për lehtësira le t’i dorëzojnë në komunë dhe ato më pas do të shqyrtohen.
Mehmeti shtoi se veturat e parkuara në vendet ku kanë filluar të hapin kanalizimin, po i pengojnë punimet. Ai tha se do të kërkojnë zyrtarisht nga Policia që të ndalojë qarkullimin në këtë rrugë derisa të përfundojnë punimet.
Mehmeti tutje u zotua se çdo herë do t’u dalin në krah bizneseve sepse ato janë përballur me kundërmime dhe vërshime gjatë reshjeve, problem këto të cilat sipas tij, me përfundimin e punimeve nuk do të do t’i kenë në të ardhmen.