Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Lumir Abdixhiku është ftuar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Kajtazi përmes një postimi në Twitter ka shkruar se Abdixhiku nuk është ftuar në cilësinë e kryetarit të LDK-së por në atë të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.
“Derisa Albin Kurti refuzon kërkesat amerikane, Lumir Abdixhiku ftohet për vizitë në Washington. Abdixhiku nuk është thirrur si kryetar i LDK-së, por si kryeministri i ardhshëm i Kosovës tek i cili beson aleati jonë, Amerike”, ka shkruar Kajtazi.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur i zhgënjyer me vendimin e fundit të Qeverisë për targat.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit menjëherë pas vendimit të ri për targat.
SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e Bashkimit Evropian që Kosova ta shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj.
Ky reagim i SHBA-së pasoi miratimin nga Qeveria e Kosovës të një plani për zbatimin e vendimit për targat, që parashihet të zgjasë deri më 21 prill. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky vendim nuk është shtyrje e afatit për targat.
“Për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Pastaj, nga 21 nëntori, për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten gjatë mbledhjes së Qeverisë.