Kalgari kundërshton organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore më 2026

Prishtinë | 14 Nën 2018 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Banorët e qytetit kanadez, Kalgari kanë votuar kundër ofertave që ky vend të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore që mbahen më 2026.

Më shumë se 56 për qind e votuesve kanë kundërshtuar këtë ide.

Ky rezultat në Kalgari nënkupton që kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi dhe qytetet italiane, Milano dhe Kortina D’Ampezzo do të jenë kandidatet e vetme që synojnë të jenë nikoqire.

Interesimi për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore dhe ato Verore ka rënë për shkak të rritjes së shpenzimeve në aspektin përgatitor.

Komiteti Olimpik do të publikojë emrin e nikoqirit të këtyre Lojërave në qershorin e vitit të ardhshëm.

Qyteti zviceran, Sion, Saporo në Japoni dhe Grazi në Austri po ashtu janë tërhequr nga dorëzimi i ofertave këtë vit.

Por kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë sepse shumë qytete kanë hequr dorë edhe më parë nga organizimi i këtyre Lojërave më 2015.

Hamburgu në Gjermani ka kundërshtuar këtë ide, ndërsa Komiteti Olimpik në SHBA pati anuluar ofertën e Bostonit për shkak të kundërshtimit të ashpër në zonat lokale.

Votimi në Kalgari nuk ka qenë detyrues, megjithatë Këshilli pritet të respektojë këtë rezultat kur të takohet ditën e hënë.

Këshilltari i këtij vendi, Sean Chu ka thënë se rezultati ka treguar “mjaftueshëm se çfarë duhet të bëjmë”.

Komiteti Olimpik Kanadez ka thënë se është i zhgënjyer me rezultatin, mirëpo do ta respektojë atë.

Kryeqyteti kinez, Pekini do të jetë nikoqir i Lojërave Olimpike Dimërore më 2022.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme