Kalifornia ndalon përdorimin e gëzofit të kafshëve për veshmbathje

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 11:13 | Nga Ekonomia Online

Kalifornia është bërë shteti i parë i Shteteve të Bashkuara që e ndalon përdorimin e gëzofit të kafshëve për prodhimin e produkteve të ndryshme të veshmbathjeve.

Banorët e Kalifornisë nuk do të kenë më të drejtë që të shesin apo prodhojnë rroba, këpucë dhe çanta dore nga gëzofi i kafshëve duke filluar nga viti 2023.

Ky vendim është festuar nga grupet për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, të cilat për një kohë të gjatë e kanë kërkuar një masë të tillë.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, e ka nënshkruar edhe një vendim për ndalimin e shfrytëzimit të kafshëve në cirk, përpos maceve, qenve dhe kuajve.

“Kalifornia është lidere kur bëhet fjalë për mirëqenien e kafshëve dhe sot ky lidership e përfshin edhe ndalimin e shitjes së gëzofit të kafshëve”, tha përmes një deklarate guvernatori Newsom.

Personat që e shkelin këtë ligj do të ndëshkohen me 500 dollarë, ndërsa nëse e përsërisin shkeljen e njëjtë, gjoba do të dyfishohet, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Majin e kaluar, shtëpia e modës “Prada” njoftoi se nuk do ta përdorë gëzofin e kafshëve për prodhimin e veshmbathjeve duke filluar nga edicioni pranverë-verë i vitit të ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme