Kur filozofi e shkrimtari francez, Camus (1913-1960) në fund të dekadës së tretë të shekullit të kaluar kishte nisur ta shkruante dramën “Kaligula”, i ishte referuar një historie që thuhet të ketë ndodhur në vitin 41 pas lindjes së Krishtit.
Por sipas inskenimit që i ka bërë Teatri Kombëtar i Kosovës kësaj vepre, del që Camus sikur të jetonte në këtë shekull, nuk do ta kishte hall frymëzimin edhe sikur t’i referohej dy dekadave të fundit të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Tek “Kaligula” që është dhënë premierë të hënën mbrëma në TKK me regji të Kushtrim Koliqit, personazhin kryesor që mban emrin sikurse titulli i shfaqjes e luan e gjithë kasta. Ngjarja zhvillohet në hënë të plotë. Ajo qëndron gjatë gjithë kohës lart skenës, andaj e josh fort të gjithëpushtetshmin. Realisht universi është kufiri i të bëmave të tij.
Dikujt i ka vrarë të atin, dikujt të birin e ka edhe të atillë që ngrenë dollinë e fundit në jetë për hir të shefit të vendit, pasi u duhet të pinë helm. Me skenografinë tejet kuptimplotë të Petrit Bakallit, perandori ligjëron nga një podium shumë më i lartë se populli. Prapanicën e gruas ua rrah para syve intelektualëve të vendit apo kokave të kombit. Ironizon me ta.
Realisht shpesh ndodh që intelektualët të kritikohen në Kosovë për mosreagime karshi gjendjes së shtetit e shoqërisë. Kaligula ushtron ndikimin nëpërmjet gruas së tij të fundit, Caesonias (Gresa Pallaskës) dhe Cassiusit (Melihate Qena) që udhëheq me ushtrinë.
Kasta e përbërë nga Adrian Morina, Almir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Shkelzen Veseli e Ylber Bardhi, shndërrohet në popull, të pandehur, ministra, intelektualë e role të tjera. Ambicieve të Kaligulës nuk ka kush u del përpara.