Rruga e Jetmir Topallit për të arritur nga Superliga e Kosovës në Superligën e Turqisë nuk ishte e lehtë. Kishte shumë sfida përpara saqë është dashur sakrificë e madhe për ta realizuar ëndrrën.
Udhëtimi i tij i përditshëm thotë se ka qenë nga gati 100 kilometra, kryesisht me autobus, herë me para e herë pa to, shkruan KOHA.
Por, ai nuk u ndal së ndjekuri ëndrrën që të enjten mbrëma iu realizua.
Ai u transferua nga Ballkani te skuadra elitare e Turqisë, Malatyaspor, skuadër me të cilën ka nënshkruar kontratë trevjeçare. Kalimi në elitën e futbollit turk vlerësohet e arritur e madhe për Topallin. Është ndër të rrallët futbollistë që nga futbolli kosovar ka bërë hap të madh drejt një lige të vlerësuar, siç është ajo e Turqisë.
Topalli nga mediumet në Turqi është cilësuar si “Muriqi i ri”, duke iu referuar yllit kosovar të skuadrës turke, Fenerbahçe, Vedat Muriqi. Muriqi është shtyllë e sulmit të Kosovës, derisa po kërkohet nga shumë skuadra të mëdha evropiane falë paraqitjeve të mira në vitet e fundit në Turqi.
Karrierë si të Muriqit pret të ketë edhe Topalli.
“Sakrifica ka qenë e madhe, por unë nuk jam dorëzuar. Kam pasur udhëtime të përditshme nga gati 100 kilometra me autobus nga Kaçaniku për në Prishtinë, herë me pare e herë pa pare. Por, unë kam qenë i vendosur dhe i përkushtuar për t’i arritur qëllimet e mia, në mënyrë që ta bëj krenar familjen dhe të gjithë ata që më kanë qëndruar pranë”, ka thënë Topalli të premten, në një intervistë për KOHËN.
Karriera e tij nisi në moshën 12-vjeçare në shkollën e futbollit “New Star”, në vendlindjen e tij, në Kaçanik.