Kallas: Ballkani për pesë vjet në BE, në fokus dialogu Kosovë-Serb

Estonia's Kaja Kallas, nominee for European Union High Representative and Vice-President for Foreign Affairs and Security Policy, speaks during her hearing at the European Parliament in Brussels on Tuesday, Nov. 12, 2024. (AP Photo/Virginia Mayo)
Prishtinë | 12 Nën 2024 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Të martën, vëmendja në Bruksel ishte te Kaja Kallas. Për pesë vitet e ardhshme, ish-kryeministrja e Estonisë do të jetë shefe e Diplomacisë dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian (BE).

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (PE), ajo paraqiti vizionin e saj për BE-në që siç thotë që do të jetë aktor i rëndësishëm gjeopolitik i botës.

Drejt këtij synimi shkohet edhe me politikën e zgjerimit, sidomos me rajonin që ka gjashtë shtete, pra Ballkani Perëndimor. Kosova është i vetmi vend i rajonit që në rrugën e saj drejt synimit për të hyrë në BE, nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

“Zgjerimi e bën Unionin tonë më të fuqishëm. Kurse anëtaret e reja të BE-së, më stabile e më të sigurta. Dhe na bën të gjithë neve më shumë të përparojmë. Në pesë vitet e ardhshme neve na duhen rezultate të qarta këtu. Unë do punoj dorë për dore me Komisioneren për Zgjerim, për të arritur këtë qëllim”,tha kryediplomatja evropiane në ardhje.

Në portofol të punës, Kallas, do ta ketë eskluzivisht sikur paraardhësi i saj spanjolli Josep Borrell, dialogun Kosovë-Serbi. Këtë proces e përmendi shkurt, dhe si njërin nga dy shtigjet që punon BE-ja, bashkë me atë për zgjerimin drejt Ballkanit, ku ajo thotë se do ta bëjë ndër vizitat e para.

“Shtegu tjetër është natyrisht dialogu Prishtinë-Beograd, ku të gjithë paraardhësit e mi politik, kanë investuar shumë kohë dhe kjo do të sillte stabilitet në rajon”, potencoi Kallas.

Kallas e cila është në listën e zezë të Rusisë, tha se blloku evropian duhet të mbetet mbështetës i Ukrainës që po përballet me agresion ushtarak nga vendi fqinj pra  Federata Ruse.

Ajo potencoi se “nëse agresioni jep fryte në një vend, atëherë kjo është ftesë për agresion në një vend tjetër”, prandaj sipas estonezes, agresioni rus në Ukrainë duhet të dështoj .

Në rast se Parlamenti Evropian, konfirmon gjithë komisionarët e ri evropian gjatë nëntorit ,atëherë më 1 dhjetor nis mandatin përbërja e re e Komisionit Evropian, që për presidente në mandatin e dytë e ka politikanen gjermane, Ursula von Der Leyen.

Të ngjashme