Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Balkan Green Foundation (BGF); Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP); Instituti GAP, kanë dorëzuan kallëzimin penal ndaj Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për veprimet e tij lidhur me rastin e ndërtimeve në hapësirën e Liqenit të Badocit, raporton Ekonomia Online.
Arbresha Loxha, drejtoreshë e GLSPS-së tha se me anë të këtij kallëzimi penal i kërkojnë prokurorisë që të hetojë këtë çështje dhe ta procedojë tutje.
Ajo tha se kallëzimin penal këto organizata e kanë arsyetuar në tetë pika
“E konsiderojmë që zyra e sekretarit të përgjithshëm të MMHS-së ka detyruar drejtorinë e urbanizmit në komunë e Prishtinës që të procedojë kërkesën për kushte ndërtimore duke u thirrur gabimisht në nenin 20 dhe 21 të ligjit për ndërtim. Së dyti është detyrim j kundërligjshëm për faktin se disa parcela kadastrale të cilat përmenden hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akomulues.
“Së treti, realizimi i ndërtimit të kompleksit të shtëpive individuale të banimit në atë zonë do të ndikojë negativisht në biodiversitetin e si rrjedhojë do të binte në ku dështim me aktet në fuqi me theks të veçantë për ligjin për mjedis dhe vendimin e qeverisë” andaj konsiderojmë që janë plotësuar elementet e veprës penale në tentativë. Prandaj GLsP- BGF, INDEP, instituti GAP, i kërkojmë prokurorisë themelore të Prishtinës që këtë çështje ta hetojë tërësisht dhe ta procedojë më tutje”, tha ajo.
Rreze Hoxha nga GLSP tha se me anë të këtij kallëzimi penal ftojnë prokurorinë të hetojnë procedurat që janë ndjekur nga MMPH-ja për rastin e Badocit.
“Ne konsiderojmë që me anë ta paraqitjes së kallëzimit penal ne po e ftojmë prokurorinë ta hetojë rastin dhe ta qartësojë procedurën që është dashur të ndiqet, ajo që është ndjekur dhe ajo çfarë është tentuar të arrihet me vendimet që janë marrë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, tha ajo.
Ndërsa Arian Recaj, Gupi Qytetar për mbrojtjen e Badocit tha se kërkojnë nga prokuroria të trajtojnë me prioritet këtë çështje jetike për qytetarët e Prishtinës.
“Më lejoni të falënderojë shoqërinë civile për këtë kallëzim penal. Poashtu në emër të grupit për mbrojtjen e Badocit prandaj i kërkojmë prokurorisë që këtë çështje ta trajtojë me prioritet të larë pasi është një çështje jetike për qytetarët e Prishtinës” , tha ai.
Këto janë 8 pikat e kallëzimit penal që këto organizata e kanë arsyetuar:
Së pari, Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MMPH-së, kundërligjshëm ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të procedoi kërkesën për kushtet ndërtimore duke u thirrur gabimisht në nenin 20 dhe 21 të Ligjit për Ndërtim. Kjo ngase i njejti ka detyruar/obliguar Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës që të veproj duke anashkaluar vendimin e Qeverisë së Kosovës nr. 16/127, datë 24.04.2013, i cili shprehimisht, në nenin 11, par.4, nënpar. 4.3, zonën në të cilën kërkohet lëshimi i kushteve të ndërtimit e parashehet si zonë e ndaluar për ndërtim.
Së dyti, ky detyrim është i kundërligjshëm për faktin se disa nga parcelat kadastrale të cilat permenden në kërkesë, hyjnë në zonën mbrojtëse të liqenit akumulues-Badovcit dhe në çfarëdo lloj situate ndërtimi i çfarëdolloj objekti për turizëm, rekreacion ose objekte të tjera të cilat do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit, nuk do të mund të lejohej dhe zgjatja e procedurave administrative deri në shterjen e të gjitha mjeteve juridiko-administrative do të duhej të dërgonte në rezultatin e njejtë, pra mos lejimin e ndërtimit të çfarëdo objekti që do të mund të rrezikonin cilësinë e ujit. Kjo ngase një gjë e tillë është e përcaktuar në Vendimin e Qeverisë nr. 16/127, vendim ky që ka fuqi mbi të gjitha aktet tjera komunale dhe çdo institucion shtetëror duhet të garantoj për zbatimin e tij.
Së treti, realizimi i ndërtimit të kompleksit të shtëpive individuale të banimit, në atë zonë do të ndikonte negativisht në biodiversitetin, ndotje të ambientit, tokës ose ujit, e si rrjedhojë do të binte në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, me theks të veҫantë me Ligjin për Mjedisin dhe Vendimin e Qeverisë me nr.16/127. Andaj, në këto rrethana, konsiderohet se janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale në tentativë “Lejimi i kundërligjshëm i ndërtimit apo drejtimit të fabrikave dhe instalimeve që ndotin mjedisin”e paraparë në Nenin 340,par.1, i cili parasheh që “Kushdo që duke shkelur ligjin mbi mbrojtjen e mjedisit, lejon ndërtimin apo instalimin e fabrikës ose drejton apo menaxhon fabrikën ose instalimin në të ҫilën kryhet veprimtari e rrezikshme dhe me këtë rrezikon të shkaktojë vdekjen apo lëndimin e rëndë trupor të ndonjë personi, ndotë mjedisin, ajrin, tokën apo ujin ose shkakton dëm në shumë prej pesëmijë (5.000) Euro apo më shumë të kafshëve, bimëve ose pasurisë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet”, lidhur me nenin 28, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku thuhet: “Kushdo që me dashje ndërmerr veprime për kryerjen e veprës penale por vepra nuk është kryer ose elementet e veprës penale nuk janë realizuar, konsiderohet se ka tentuar të kryejë vepër penale”.
Së katërti, meqenëse me vendimet e lëshuara nga Minsitria, janë aprovuar të gjitha ankesat që pala ka bërë ndaj refuzimeve nga ana e Komunës, vërehet tentimi i tij që të ndërhyjë në një proces për të cilin çfarëdo procedure që do të zbatohej, përfundimi do të ishte i njejtë. Dhe rrjedhimisht tendenca e tij për të treguar të kundërtën, si qëllim për t’a ҫ’orientuar palën që ka parashtruar kërkesë për lëshimin e kushteve ndërtimore , në një zonë e cila është e ndaluar për ndërtim, paraqet dyshim të bazuar mirë se janë plotësuar elementet e veprës penale të Mashtrimit nga neni 323, par.1 të Kodit Penal të Kosovës..
Së pesti, lidhur më këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe me dyshimin se i njejti ka pasur për qëllim që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e personit tjetër, në këtë rast duke dëmtuar zonën e mbrojtur –Liqenin akumulues të Badovcit, ka nxjerrur vendime më të cilat i’a ka imponuar Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, që edhe pas dy refuzimeve, të bëjë lëshimin e kushteve të ndërtimit. Prandaj, ekziston dyshimi se me këto veprime janë konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Së gjashti, përveç pjesës së lartëcekur, këto veprime bien në kundërshtim edhe me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës, përkatësisht në nenin 26 paragrafi 2, ku ndalohet kryerja e të gjitha punëve të cilat shkaktojnë ndryshimin në gjendjen ujore. Poashtu, në nenin 66 të këtij ligji, përcaktohet mbrojtja dhe ruajtja e zonave të mbrojtura ujore, ku në këtë grup bën pjesë edhe Liqeni akumulues i Badovcit, i shpallur me vendimim e Qeverisë nr.16/127. Njëkohësisht, me të njëjtin ligj, në nenin 67 përcaktohet se në rastet kur mund të rrezikohen kushtet cilësore apo sasiore, në zonën e mbrojtur ujore, mund të ndalohen ose kufizohen aktivitetet e pronarëve apo poseduesve të tokës, situatë kjo që i përshtatet rastit konkret.
Së shtati, edhe Ligji për Mjedisin, në nenin 8, përcakton se shfrytëzimi dhe mbrojtja e resurseve natyrore bëhet përmes planifikimit për ruajtjen e cilësisë dhe llojllojshmërisë së tyre, në përputhje me kushtet dhe masat për mbrojtjen e mjedisit të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjet e veçanta. Rrjedhimisht, ky ligj vendos kritere dhe kushte të cilat duhet të respektohen në çfarëdo situate në çdo rast kur rrezikohet mjedisi, gjë e cila është tentuar të injorohet me veprimet e ndërmarrura nga Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, përmes vendimeve të drejtuara drejtë Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës së Prishtinës
Së teti, në këtë rast nuk janë marrë parasysh as dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr.15/2017 të datës 08.12.2017, për kriteret për përcaktimin e zonave të mbrojtura sanitare të burimeve të ujit. Me veprimet e tij, Ministria ka rënë në kundërshtim me dispozita e nenit 4 ku thuhet se përcaktimi i zonave të mbrojtura sanitare bëhet me qëllim që të mbrohen burimet e ujit nga ndotja e qëllimshme apo e rastësishme e cila mund të ketë efekte negative në kapacitetet dhe vetitë natyrale të burimeve të ujit. Kjo duke pasur parasysh edhe faktin se në nenin 18, par.1, i po këtij Udhëzimi Administrativ përcakton se Zona e II-të sanitare përfshinë kufirin prej 500 (pesëqind) metra nga vepra ujëmarrëse. Kjo nënkupton që brenda kësaj hapësire, ashtu edhe siç e parasheh Vendimi i Qeverisë nr.16/127, si dhe aktet ligjore në fuqi, ndalohet çdo lloj ndërtimi i objekteve, e aq me pak i atyre objekteve me karakter rekreativ apo të banimit sepse të njejta do të mund të ndikonin negativisht në biodiversitetin e florës dhe faunës, cilësinë e ujit etj. Shprehimisht këtë ndalesë e përmban edhe neni 13, paragrafi 1.10 lidhur me nenin 15 të këtij Udhëzimi Administrativ, kjo për shkak se ekziston rreziku se me ndërmarrjen e veprimeve të tilla mund të ketë pasoja në burimin e ujit, qoftë në kuptim sasior apo cilësor.