Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në kallëzimin penal të deponuar një ditë më parë, i ka kualifikuar si pjesë të një “grupi kriminal” Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Blerim Jusufi, si dhe dy prokurorët e Prokurorisë Speciale, Drita Peci Hajdari dhe Sevdije Morina, raporton Koha Ditore.
Rreth një vit pasi gjykata e ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për falsifikim dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, me të cilat e ngarkonte prokurori i Shtetit, Hasani ka vendosur që përmes një kallëzimi penal institucioni që e ka ndjekur t’i hetojë krerët e Prokurorisë së Shtetit e përfaqësues të tjerë të Prokurorisë për, siç ka pretenduar ai, ndjekje të pabazuar e të inskenuar. Kallëzimin e ka dorëzuar të martën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Aty pretendon se proceset hetimore ndaj tij viteve të fundit kanë qenë hakmarrje e kryeprokurorit Lumezi për “vështirësitë” e tij për të udhëhequr një nga institucionet me të rëndësishme të drejtësisë, siç është Prokuroria e Shtetit.
“Qartë shihet se bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal dhe që është i njëjti në dy raste të nisura ditën e njëjtë”, thuhet midis tjerash në Kallëzimin Penal, 11-faqësh.