Kalon në qeveri Projektligji për Lojërat Mesdhetare

Prishtinë | 27 Nën 2024 | 12:07 | Nga Hasan Hoti

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka bërë të ditur se në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar Projektligji për Lojërat Mesdhetare, të cilat do të organizohen në Kosovë në vitin 2030.

Sipas saj, ky projektligj parasheh që Lojërat Mesdhetare të shpallen si çështje me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës.

“Hartimi i këtij projektligji është rezultat i një procesi të thellë të analizës duke përfshirë shqyrtimin e kornizës ligjore vendore dhe praktikave ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive të ngjashme. Me miratimin e këtij projektligji Lojërat Mesdhetare shpallen çështje me interes të veçantë për Republikën e Kosovës duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka për vendin tonë. Ky ligj themelon Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare 2030, një strukturë ë pavarur me statusin e fondacionit të Organizatës joqeveriatre përgjegjëse për udhëheqjen e këtij aktivitet”, tha Osmani.

Osmani tha se kryesues i këtij komiteti do të jetë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se përmes organizimit të kësaj ngjarjeje, Kosova do të ketë infrastrukturë moderne sportive por edhe do të promovohet në arenën ndërkombëtare.

Të ngjashme