Kaltrinë Zeneli thotë se nuk ka mundur ta shohë asnjëherë deri në fund një video të cilën e publikoi vetë në rrjetet sociale të mërkurën pasdite. Pamjet shfaqnin një infermiere 23-vjeçare teksa e rrihte një grua të moshuar, të sëmurë e krejt të pambrojtur në një qendër për përkujdesjen e këtyre personave në Pejë. Të paktën dy punonjëse tjera të kësaj qendre argëtoheshin me aktin dhe ishin kujdesur që atë ta incizonin me telefon.
Aktorja dhe aktivistja Kaltrinë Zeneli e përdori për herë të parë pozitën e saj për ta nxitur reagimin.
Do të ishte mirë që pas këtij denoncimi publik të rritet numri i njerëzve që do të shkojnë në teatër për t’i shikuar shfaqjet në të cilat luan Kaltrina. Mungesa e publikut në teatër është problem i madh në Kosovë. “Por më shumë sesa publik në teatër, kisha dashtë njerëz që aktivizohen dhe e ngrisin zërin e tyre për t’i parandaluar këto raste”, thotë aktorja në një prononcim për Gazetën Express.
27-vjeçarja aktualisht është pjesë e organizatës joqeveritare Artpolis, e cila ka për synim promovimin e kulturës, artit dhe bashkëjetesës multietnike përmes dialogut social dhe teatrit. Siç tregon vetë, me aktrim merret nga mosha 14-vjeçare. Ka lindur në Pejë, por ka 8 vjet që jeton në Prishtinë. Në Universitetin e Prishtinës i ka kryer studimet bachelor dhe master në drejtimin “Artet Dramatike” në Fakultetin e Arteve, me notën mesatare 9.9. Kaltrina ka marrë pjesë në organizimin e festivaleve të ndryshme në vend dhe ka luajtur në dhjetëra shfaqje teatrale në vend dhe rajon. Ka marrë pjesë edhe në seriale të ndryshme vendore.
Pas rastit të fundit, Kaltrinën do ta njohin të gjithë, edhe pse thekson se “ky nuk ka qenë qëllimi im”. Atë të mërkurën e kontaktoi Prokuroria për ta pyetur për pamjet e publikuara. Ajo shton se e ka ditur se kjo do të bëhej e madhe dhe se organet kompetente do të nxiteshin të reagonin.
“Për herë të parë dje e kam përdorë pozicionin tim si aktore te njerëzit për me reagu për një çështje që ish dashtë secili me reagu. Por s’e besoj që ish bë kaq e madhe nëse dikush veç kish shku në Polici dhe e kish lajmëru si rast”, thotë Kaltrina.
Videon ia kishte dërguar një person, për të cilin thotë se nuk ka asnjë informacion.
“Pyetja që ma bëri ishte ‘ku mundem me e raportu?’ dhe kur e kam pyet a ke bë diçka ose qysh e ke marrë vesh për dhunën, ma ka dërgu videon dhe më nuk kam asnjë informatë për të. As nuk e di kush është, as nuk e di ku e ka marrë atë video, as çfarë ka ndodh me të”.
Pas denoncimit, ajo thotë se i ka marrë mbi 60 mijë mesazhe dhe komente, shumica prej tyre mbështetëse. Natyrisht, nuk ka mundur ta hapte secilin prej tyre.
“Tash këto ditë, kurrkush s’po më thirrë ‘Kaltrinë’, por veç ‘heroinë, heroinë’. Po marr komplimente, po marr mbështetje prej njerëzve që as nuk e di kush janë, as nuk e di çka bëjnë”, thotë aktorja.
Dikush ka zgjedhur ta kërcënojë aktoren se do ta mbysë nëse e sheh në rrugë. Por kërcënimi për të ka shkuar në adresë të një vajze tjetër me emrin dhe mbiemrin e njëjtë. Ka nga ata që gjykuan gabimisht se aktorja e ka bërë incizimin.
“Unë për vete nuk po tutna aspak për situatën në të cilën jam. Nuk kam hiç problem nëse dikush del edhe ballafaqohet me mua. I vetmi problem është kjo Kaltrina Zeneli, kjo çika që po tutet ajo për veten dhe nuk po ndihet e sigurt”, thotë aktivistja.
Ajo nuk ndjehet vetëm. Në mend i kanë mbetur disa nga mesazhet më mbështetëse që i ka marrë.
“Njëri tha ‘jam baba i katër fëmijve, tha nëse dikush të del përpara, ky është numri im, më thirr dhe jam në gjendje me dhënë jetën. Ti je heroina jonë, je shembulli më i mirë dhe shpresoj që secila femër ka me e ndjekë shembullin tënd’. Ka mesazhe plot, plot sikur ky”.