“Nuk është për t’u befasuar shumë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më emëroi mua si Ministër për Komunitete dhe Kthim, sepse para tri vitesh kam qenë Drejtor i Zyrës për Komunitete. Unë kam përvojë në bashkëpunim me Kryeministrin Kurti dhe pres mbështetjen e tij në punën e ardhshme time. Emërimi im vjen si pasojë e veprimeve të Listës Serbe dhe ish-Ministrit Goran Rakiç për t’u larguar nga institucionet. Detyra ime do të jetë që të jem ministër më i mirë se paraardhësi im, dhe kjo mbase s’do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Nenad Rashiç për të përditshmen serbe “Danas”, pas emërimit në postin e ministrin në Qeverinë Kurti II, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Rashiç shpjegoi se emërimi i tij vjen pas dy takimev të gjata me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për të cilin tha se ky i fundit i ka premtuar hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve.
Siç vazhdoi të thotë ministri serb Rashiç, serbët në pjesën jugore të Kosovës të cilët përbëjnë rreth 65% të serbëve në Kosovë, kanë nevojë për institucione në të cilat i adresojnë problemet e tyre.
“Ne jemi pragmatikë dhe besojmë se duhet të jemi pjesë e institucioneve”, ka thënë Rashiç.
Lista Serbe e ka kundërshtuar fuqishëm emërimin e Rashiç në pozitën e Ministrit për Komunitete dhe Kthim përçka edhe ka lajmëruar se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjithashtu, i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka reguar për emërimin e Rashiç, të cilin e quajti “kukull të Albin Kurtit” që “punon kundër interesave të serbëve të Kosovës”.