I ardhur këtë verë te skuadra e Romës, sulmuesi nga Uzbekistani, Eldor Shomurodov, ka magjepsur që në start me paraqitjen e tij. Ky është sezoni i dytë për 26-vjeçarin në Serinë A, ku debutoi vjet me Genoa (31 ndeshje e 8 gola).
Për të ky sezon është i veçantë, pasi luan me Romën, që drejtohet nga trajneri Jose Mourinho.
“Me Jose jam takuar dy vite më parë në Moskë. Kur më njoftuan se më kërkonte Roma pranova menjëherë”, tha sulmuesi uzbek.
“Së pari, Roma është një skuadër e madhe, me objektiva konkretë. Së dyti, këtu është trajneri Jose Mourinho, një nga më të mirët në botë, që unë e vlerësoj shumë. Kam punuar shumë për këtë ditë, që të drejtohesha nga ai”, tha Shomurodov.
Sulmuesi debutoi në kampionat me fanellën e Romës ditën e diel, në fitoren 3-1 ndaj Fiorentina.
“Dua të tregoj se sa vlej. Mendoj se dhashë më të mirën në fushë, por e di që kam mundësi të përmirësohem. Me Mourinho shpresoj të korr të tjera suksese në karrierën time”, tha Shomurodov.