Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka thënë se në zgjedhjet e së dielës kanë shënuar fitore bindëse në Preshevë, ku Ardita Sinani, ka qenë kandidate për kryetare, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo, sipas kreut të PVD-së, rezultati shqetësues është në komunën e Bujanocit, ku kandidat ka qenë Ragmi Mustafi.
“Fitore bindëse e PVD-se në Preshevë, ndërsa, në Bujanoc kemi rezultat shqetësues. Falë angazhimit të kandidates për kryetare, Ardita Sinani, strukturës së Degës së PVD-së dhe çdo aktivisti e simpatizanti, Dega e PVD-së, në zgjedhjet e mbajtura më 2 qershor në Preshevë, ka arritur të dalë lista e parë dhe fituese e gares zgjedhore, me 4079 vota, apo 11 mandate, duke fituar gati në çdo vendvotim të komunës së Preshevës”, tha Kamberi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Sipas tij, rezultati i arritur tregon epërsinë e bindshme të PVD-së mbi rivalët garues, e sidomos thyen dhe përmbys kështu dominimin e APN-së në këtë komunë.
“Këmbëngulësia e treguar në rezistencë aktive nga opozita më në fund dha rezultatin e pritur. Në kandidaten tonë, Ardita Sinani mbetet përgjegjësia e procesit të ndërtimit të një shumice të re qeverisëse në Komunën e Preshevës, e cila do të jetë e orientuar në realizimin e obligimeve të marra në zgjedhje, në bashkëpunim e bashkërendim, e jo konfrontim, me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë. Urime Ardita Sinanit dhe 11 këshilltarëve të ardhshëm të PVD-së”, theksoi ai.
Mirëpo, sipas Kamberit, në Bujanoc, mjerisht, lista dhe kandidati i PVD-së nuk arritën rezultatin e pritur.
“Lista dhe kandidati jonë Ragmi Mustafa, përkundër angazhimit maksimal të të gjithë strukturës tonë, ka siguruar vetëm 2083 vota. Mbi këtë rezultat tejet shqetësues, ditët në vijim, Dega e PVD-së në Bujanoc, do të duhet të analizojë e reflektojë për të marrë vendime the qëndrime serioze për të ardhmen e subjektit. Zgjedhjet janë gjithmonë vetëm një betejë, ato nuk shënojnë fundin e historisë. Pavarësisht rezultatit shqetësues, ne do të vazhdojmë të besojmë, e punojmë për misionin tonë për më shumë të drejta për shqiptarët, për më shumë bashkëpunim me Kosovën e Shqipërinë. Edhe në këtë rast të brengosjes sonë për rezultatin e arritur në Buajnoc, duhet falënderuar çdo anëtarë, aktivist e simpatizant të PVD-së, që edhe në këtë betejë të radhës, dhanë kontributin e tyre pa hezitim. Beteja vazhdon”, theksoi Kamberi.
Pavarësisht këtij rezultati, Kamberi tha se betejat për pozitën më të mirë të shqiptarëve nuk do të ndalen, sepse betejat i fitojnë ata që nuk dorëzohen.