Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shkruar se me ftesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe bashkë me përfaqësues politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, e kanë vizituar Shqipërinë në 577 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.
Kamberi ka treguar në Facebook fjalimin e tij në këtë ngjarje, ku mes tjerash ka thënë se askush më shumë se shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk vuajnë sot më shumë nga mungesa e jetësimit të qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës.
“Të shtypur dhe të diskriminuar nga shteti i Serbisë. Të harruar ose instrumentalizuar nga politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë.As Rënia e Murit të Berlinit, as shpërbërja e Jugosllavisë dhe as rënia nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit nuk përmirësuqn gjendjen shoqërore dhe pozitën politike e juridike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, megjithë Referendumin e tyre më 1 dhe 2 mars 1992 dhe kryengritjen e tyre të armatosur më vitin 2001”, ka thënë kamberi.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk po trajtohen si shtetas dhe qytetarë të barabartë, megjithë procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian i cili i ka mbyllur sytë ndaj politikës autoritare, anti-minoritare dhe anti-shqiptare, të pushtetit absolut të Aleksandër Vuçiqit”.