Gjersa turizmi po rifillon në mënyrë shumë të ngadalshme rreth botës dhe shumë shtete ende po ngurojnë të hapin tërësisht kufijtë, Kamboxhia ka vendosur kërkesa të rrepta për të hyrë në këtë shtet.
Ky shtet i Azisë juglindore është i njohur për turistë të rinj dhe tempullin Angkor Wat i cili është në listën UNESCO të trashëgimisë kombëtare, shkruan The Independent.
Sipas një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Kamboxhias, udhëtarët e huaj duhet të paguajnë depozitë prej 3,000 dollarëve për “pagesat e shërbimit të Covid-19”.
Ministria e Jashtme ka shkruar se, “pasi që të kalkulohen shpenzimet, do të kthehet pjesa mbetëse e depozitit. Sidoqoftë shpenzimet mund të jenë të mëdha, posaçërisht nëse ndonjë nga udhëtarët që vijnë me aeroplanin e njëjtë si ju, teston pozitiv për koronavirusin”.
Vetëm testi për Covid-19 kushton 100 dollarë, e pastaj, udhëtarët duhet të paguajnë 30 dollarë për të qëndruar në një hotel si “qendër pritëse”, si dhe për tre shujta në ditë gjersa presin rezultatet.
Nëse kanë fat, udhëtarët do të shpenzojnë 132 dollarë të depozitit. E pastaj duket të izolohen për 14 ditë në akomodimin që kanë zgjedhur vetë.
Por, nëse vetëm një person nga fluturimi teston pozitiv për koronavirus, secili person nga i njëjti fluturim do të karantinohet në vendin e aprovuar nga qeveria për dy javë, dhe kjo do t’i kushtojë 1,176 dollarë. E pastaj të paguajnë edhe 100 dollarë për një test të dytë.
Këshillat e Ministrisë së Brendshme të Kamboxhias, përfundojnë me këshillën: “Nëse nuk jeni në gjendje të përmbushni këto kërkesa, mendoni dy herë nëse dëshironi të udhëtoni për në Kamboxhia në këtë periudhe”.