Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pranuar çelësin e objektit të Gjinekologjisë, Pediatrisë e Urgjencës, projekt ky i cili u finalizua gjatë ditës së sotme.
Kastrati duke falënderuar të gjithë ata që dhanë angazhimin e tyre për këtë projekt, ka thënë se kushtet infrastrukturore kanë qenë të mjerueshme në këto reparte.
“Pa prekje duarsh, sot pranova çelësin e objektit të Gjinekologjisë, Pediatrisë e Urgjencës. Për më shumë se 30 vjet, pa asnjë investim në qendrën spitalore të Kamenicës, kushtet infrastrukturore ishin të mjerueshme në këto tri reparte. “Jam shumë i lumtur që ky projekt u finalizua, që qytetarëve tanë t’u ofrojmë shërbime sa më cilësore”, ka thënë ai.
Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, e cila ishte e pranishme gjatë pranimit të çelësit të këtyre reparteve, ka thënë se tani qytetarët do të kenë mundësi të marrin shërbime cilësore.
“Më në fund u finalizua ky projekt i cili do t’iu sjellë qytetarëve shërbime të duhura. Tani këto reparte kanë kushtet e duhura të cilat kanë munguar dhe edhe puna do të bëhet më me vullnet për qytetarët”, ka deklaruar ajo.