Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme në inaugurimin e ndërtesës së re të Komunës së Kamenicës, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Apostolova ka marrë pjesë edhe në një forum diskutimi bashkë me punonjës të komunës dhe organizata joqeveritare ku kanë diskutuar për marrëdhëniet ndëretnike në Kamenicë.
Ajo tha se progresi i Kosovës mund të arrihet me shpejtësi nëse qytetarëve iu jepet mundësia që të jenë anëtarë të barabartë në shoqëri.
“Siguria, liria e lëvizjes, e drejta e pronës janë kushte themelore. Dhuna ndërfetare duhet të ndërpitet derisa arsimi për komunitetet duhet të rritet. Pasuria e trashëgimisë duhet të ruhet”, ka thënë Apostolova ndër të tjera.
Ndërkohë kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se komuna që ai drejton e ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb dhe rom është shembull për pjesëmarrje të të gjitha etnive.