QKMF-ja në Kamenicë ka vënë në dispozicion një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë për pacientët me COVID-19 apo të dyshuar, për marrjen e terapive.
Në njoftimin e komunës së Kamenicës thuhet se ky vendim është marr për shkak të rritjes së numrit të infektuarve.
“Gjendja me COVID-19 është duke i rënduar institucionet shëndetësore në Kamenicë, ku numri i pacientëve të infektuar dhe të dyshuar është duke u rritur. Duke parë këtë gjendje, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë nga dje ka vënë në dispozicion edhe një aneks shtesë në objektin e Gjinekologjisë. Personat të cilët vijnë me përshkrime nga spitali rajonal apo ndonjë pulmolog, po ashtu personat e dyshuar apo edhe që janë pozitiv me COVID-19, mund të marrin terapinë e përshkruar në këtë aneks. Ndërsa personat e palëvizshëm të cilët janë të dyshuar apo të infektuar me COVID-19, do të vizitohen nga ekipet mjekësore për përshkrim të terapisë. Ky vendim është marrë për të lehtësuar punën e stafit mjekësor, si dhe për t’u gjendur më afër pacientëve në nevojë këto ditë”, është thënë në njoftimin e Komunës së Kamenicës./eo