Në fshatrat e Kamenicës po festohet ndërprerja e reformës në arsim.
Kryetari i zgjedhur, Kadri Rahimaj, ishte zotuar se nuk do ta zbatoj reformën e nisur nga paraardhësi i tij, Qëndron Kastrati.
Në një video të publikuar nga RTV Dukagjini, shihen një grumbull njerëzish që festojnë në rrugë në një fshat të Kamenicës.
Kastrati të dielën ishte i pari nga kandidatët për kryetarë komunash që e pranoi humbjen.
Ai kishte pranuar se reforma në arsim ishte ndër faktorët që e çoi atë në humbjen e zgjedhjeve.
“Pas mbledhjes së shumicës së votave nga komisionerët tanë, Vetëvendosje del se ka fituar shumicën e këtyre votave! I uroj kundërkandidatit fitoren dhe i dëshiroj suksese! Është mëse e qartë që reforma në arsim e ka ndikuar disponimin e pesë fshatrave në këtyre zgjedhjeve, e cila ka ndikuar dukshëm në rezultat”, shkroi Kastrati, duke i falënderuar ata që e mbështetën.
“Angazhimi im politik do të jetë i inspiruar dhe motivuar nga përvoja ime në Kamenicë! Ky vend do të mbetet shumë special për mua!”, shkroi Kastrati.
Kastrati planifikonte t’i zbatonte reformat në 10 shkolla. Riorganizimi i shkollave u nis për shkak të numrit të vogël të nxënësve në disa prej tyre, e cila ndikonte edhe në cilësinë e arsimit.