Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, bëjnë të ditur se edhe gjatë vitit 2018 po vazhdon monitorimi i gjendjes së llojeve të faunës së egër në Parqet Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”.
Monitorimi përmes kamerave kurth që nga fillimi i tij ka ofruar informacione të vlefshme për praninë e disa llojeve të rralla në territorin e këtyre parqeve, transmeton Ekonomia Online.
Monitorimi i gjendjes në terren dhe të dhënat nga kamerat tregojnë për praninë e llojeve të rralla të gjitarëve të mëdhenj në këto zona, sikurse janë: rrëqebulli (lynx lynx balcanicus), ariu i murrmë (arsus arctos), dhia e egër (rupicapra rupicapra) dhe maca e egër (felis sylvestris).
Po ashtu është konstatuar edhe prezenca e llojeve tjera të faunës së egër, e ndër to edhe dhelpra (vulpes vulpes), ujku (canislupus), lepuri (lepus europaeus), derri i egër (sus scrofa), kaprolli (capreolus capreolus), vjedulla (meles meles) dhe ketri (sciurus vulgaris).
Aktivitetet për monitorimin e faunës së egër në Parqe Kombëtare po realizohen nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, DAPK Sharri, DAPK Bjeshkët e Nemuna në bashkëpunim edhe me organizata tjera si OJQ Era dhe organizata tjera partnere.
Instituti për Mbrojtjen e Natyrës ka përgatitur një raport nga aktivitetet që janë realizuar gjatë vitit 2017. (Kliko për raportin)