Kampi i Rusisë në Bosnjë: Helez kërkon zbardhjen e skandalit dhe ndëshkimin e fajtorëve

Prishtinë | 14 Nën 2025 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

“Askush nuk mund të vijë në një vend të huaj e të kryejë stërvitje paramilitare të të huajve pa ndihmën e vendasve. Prokuroria e Bosnjë‑Hercegovinës duhet t’i ndëshkojë ata që kanë ndihmuar”, thekson ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez Helez.

Në mesin e këtij viti, Prokuroria e Shtetit atje formoi një lëndë lidhur me kampet aty, të ngritura nën ndikimin rus për stërvitje hibride të shtetasve të huaj përmes aktiviteteve subversive me qëllim të minimit të zgjedhjeve në Moldavi dhe referendumit për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Kampet ruse u zbuluan në vitin 2024.

Dronë dhe koktej molotovi

“Prokuroria e Bosnjë‑Hercegovinës para disa muajsh iu drejtua, përmes mekanizmit të ndihmës juridike ndërkombëtare, institucioneve partnere të Moldavisë lidhur me pretendimet për aktivitetet në Bosnjë e Hercegovinë dhe për krimet e dyshuara”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë për redaksinë e Detektorit.

Në të njëjtën kohë, në Moldavi po zhvillohet proces gjyqësor në Gjykatën e Kishinjevës. Në seancën e fundit, i dyshuari Vladimir Harcevnicov përshkroi se si kishte ardhur nga Serbia në Bosnjë e Hercegovinë, ku kishte marrë pjesë në trajnime taktike — nga montimi, kalibrimi dhe programimi i dronëve, deri te përgatitja e koktejve molotovi, shkruajnë mediat atje.

Nw shkrimin e mediave, thuhet se saktësisht një vit më parë, atëherë presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, e kishte mohuar ekzistencën e kampit, duke i quajtur pretendimet “luftë hibride” të nxitura nga ambasada amerikane dhe politika nga Sarajeva. Ai i quajti ato “gënjeshtra të neveritshme” dhe kërkoi që t’i tregohej ku gjendej kampi, duke thënë: “Nuk do t’i shpërndajmë, por do t’i shkatërrojmë!”

Zyrtarët e Republikës Srpska dhe Ambasada e Rusisë në Bosnjë‑Hercegovinë që nga zbulimi i kampeve e deri më sot mohojnë ekzistencën e tyre. Nga ana tjetër, Zukan Helez, ministri i Mbrojtjes së Bosnjë‑Hercegovinës dhe zëvendëskryesues i Këshillit të Ministrave, i cili i pari paralajmëroi për këto aktivitete, tani shprehet i kënaqur që është hapur një lëndë, por shton:

“Kjo çështje duhet të çojë deri në fund. Jam i kënaqur që Prokuroria ka hapur rastin dhe shpresoj se nuk do të mbetet vetëm aty, por të hetohet deri në fund. Para së gjithash, duhet të përcaktohet kush ishin mikpritësit e atyre personave që u stërvitën në vendin tonë. Dikush u ka ofruar infrastrukturën dhe ndihmën e nevojshme. Askush nuk mund të vijë nga një shtet tjetër dhe vetë të hapë kampe të tilla pa ndihmën e disa njerëzve vendas me ndikim. Kjo nuk mund të fshihet. Qytetarët me të drejtë kërkojnë që të bëhet publike: kush ishin ndihmuesit, kush ishin mikpritësit dhe në çfarë mase morën pjesë në këto aktivitete. Këta persona duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen në mënyrë adekuate,” tha ministri Helez për gazetën Oslobođenje.

Paralajmërimet e mëhershme të Helezit, ish‑ministri i Punëve të Brendshme të RS‑së, Siniša Karan, i kishte quajtur “sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës dhe sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës”.

Vitn e kaluar, pranë Bosanska Krupa, u arrestua Aleksandar Bezrukhovni, shtetas rus në listën e Interpolit, i dyshuar për trajnim në kampet hibride për organizimin e trazirave në Moldavi. Në shkurt të këtij viti, ai u ekstradua në Poloni.

Megjithatë, në vend të një hetimi të shpejtë nga Prokuroria e Shtetit, pasuan sulme mediatike – kryesisht kundër ministrit Helez, që ishte i pari politikan vendas që foli për këtë çështje.

“Kjo është dëshmi se paralajmërimet e mia ishin të sakta. Për shkak të detyrës që kam, disa informacione i marr më herët se të tjerët, por rrallë mund t’i bëj publike. Për këtë arsye, shpesh jam shënjestër e sulmeve, siç ndodhi edhe në rastin e kampeve proruse. Sulmet më së shumti vijnë nga ata që nuk e kuptojnë temën ose që nuk ia duan të mirën Bosnjës e Hercegovinës. Kampet u regjistruan dhe, fatkeqësisht, u zbuluan nga shërbimet e një shteti tjetër, përpara institucioneve tona që duhet të merren me hetime të tilla. Duhet të shqetësohemi kur agjencitë tona reagojnë me vonesë. Dhe kur çështja bëhet publike, pasojnë sulme nga çdo anë — jo vetëm nga mediat dhe figurat e RS‑së, por edhe nga disa të ashtuquajtura media ‘pro‑boshnjake’, që s’është e sigurt nëse janë vërtet të tilla,” theksoi Helez.

Në gjyqin ndaj kësaj grupi në Moldavi, një nga dëshmitarët, shoferi Maxim Rosca, dëshmoi se ishte në kampin e stërvitjes në pyllin afër Banja Lukës, përpara se të transferohej në Serbi.

“Na lanë disa orë në një hostel, ku hëngrëm dhe u lajmë. Pastaj shkuam në kampin që ishte në pyll, afër Banja Lukës, ku ishin 12 persona,” dëshmoi Rosca, sipas Detektorit.

Më pas, ai kishte detyrë të shpërbënte kampin dhe t’i transportonte çadrat në Radenkë (Serbi), me urdhër “nga lart”. Sipas dëshmisë së tij, ata trajnoheshin që të ishin gati të reagojnë “nëse ndonjë ditë në Moldavi shpërthen luftë si në Ukrainë”. Për 10 ditë stërvitje, paguheshin deri në 500 dollarë — çka autoritetet moldave e shohin si shfrytëzim të gjendjes së tyre të dobët ekonomike. Pjesëmarrësit vinin përmes Turqisë, për të shmangur vulat ruse në pasaporta që do të ngjallnin dyshime në Moldavi.

“Qytetarët e Moldavisë po gjykohen sipas ligjit të vendit të tyre, ndërsa ata të Bosnjës që morën pjesë, duhet të përgjigjen para ligjit tonë. I jap mbështetje të plotë Prokurorisë së Bosnjë‑Hercegovinës që ta hetojë çështjen deri në fund dhe të ndëshkojë fajtorët, për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten në territorin e vendit tonë, qoftë për interesa të huaja apo për njësi paramilitare të kujtdo,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Bosnjës.

Pritet sabotim

Ndikimi rus në Moldavi ka qenë i orientuar veçanërisht ndaj referendumit për anëtarësimin në BE. Sa i përket vendeve të Ballkanit, të cilat gjithashtu synojnë të bëhen pjesë e BE-së dhe NATO-s, presidenti i Këshillit Euroatlantik të Serbisë, Dragan Šormaz, thotë se mund të priten përpjekje për sabotim.

“Do të ketë ende subversione si këto kampe, por shpresoj që ndikimi rus të dobësohet me kohën. Ajo që ndodhi në Republikën Srpska – që tani zyrtarët e saj thonë se u është më afër Amerika se Rusia – është një sinjal i rëndësishëm. Pas zgjedhjeve të ardhshme, pres që Bosnja të ecë drejt anëtarësimit në NATO, më pas Mali i Zi dhe Shqipëria në BE, dhe që regjimi i Vuçiqit të detyrohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Atëherë, Serbia nuk do të jetë më platformë e Rusisë për luftë hibride,” tha Šormaz.

Nëse kjo ndodh, atëherë çdo ndikim politik i Rusisë në Ballkanin Perëndimor do të zhdukej plotësisht.

Të ngjashme