Skuadra e Italisë që e fitoi Kampionatin Botëror të vitit 2006 ka krijuar një fond për grumbullimin e mjeteve për të ndihmuar në luftën kundër coronavirusit.
Kapiteni i skuadrës së atëhershme, Fabio Cannavaro, e ka bërë publike iniciativën për themelimin e këtij fondi.
“Unë së bashku me kampionët tjerë të botës nga viti 2006, po dalim edhe një herë në fushë për ta fituar një sfidë të re: ‘Një fond për Kryqin e Kuq italian për t’i ndihmuar vendit tonë në këtë emergjencë nga coronavirusi’”.
“Shpresoj që të gjithë ju të jeni po ashtu pjesë e ekipit tonë. Së bashku akoma mund të fitojmë!”, ka thënë Cannavaro për La Gazzetta dello Sport.
Italia është shteti evropian me përhapjen më të madhe të COVID-19, ku janë infektuar 25.000 njerëz dhe mbi 1.800 e kanë humbur jetën.