Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga Kryesuesi i Senatit të Kanadasë, George Furey, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kanadasë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.
Thaçi ka thënë se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen që Kanadaja i ka dhënë Kosovës dhe shtoi se kjo përkrahje duhet të vazhdojë.
“Ashtu sikur që Kosova ka miq në botë, ashtu ka edhe kundërshtarë të projektit të Kosovës dhe tërë perëndimit dhe vlerave që përfaqëson perëndimi”, u shpreh Thaçi, thuhet në njoftim të Presidencës.
Furey në anën tjetër është shprehur se Kanadaja është mirë e informuar për përpjekjet për ta cenuar Kosovën dhe tërë rajonin.
“Jemi të shqetësuar me përpjekjet e Rusisë për të destabilizuar rajonin”, u shpreh Furey.
Thaçi më tej tha se Kanadaja është partner strategjik i Kosovës dhe se duhet të thellohet bashkëpunimi në mes dy vendeve.