Për herë të parë që nga muaji mars, në Kanada nuk është raportuar asnjë viktimë e koronavirusit për periudhën 24-orëshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Shëndetit Publik, të cilat u publikuan në orët e vona të së premtes.
Në bazë të të dhënave qeveritare, numri i përgjithshëm i viktimave të koronavirusit në këtë shtet mbeti 9,163, aq sa ishte një ditë më parë, shkruan Reuters.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe u regjistruan 702 raste të reja të personave të infektuar dhe numri i përgjithshëm i të prekurve nga virusi i ri shkoi në 135,626.
Pas lehtësimit të masave kufizuese dhe rihapjes së shkollave, numri i rasteve të reja të virusit në Kanada ka shënuar rritje të lehtë ditëve të fundit. Rajoni i Kolumbisë Britanike i ka vendosur disa masa të reja për ta parandaluar rritjen e përhapjes së koronavirusit.
Megjithatë, situata e pandemisë në Kanada është shumë më e mirë, nëse krahasohet me shifrat në Shtetet e Bashkuara, ku deri më tani kanë vdekur më shumë se 190 mijë persona nga virusi i ri, ndërsa 6.4 milionë janë infektuar.
Rasti i parë i koronavirusit në Kanada është regjistruar më 25 janar në Toronto. Vatra të mëdha të përhapjes më pas ishin bërë provinca me popullsinë më të madhe, Ontario, dhe province fqinje, Kuebeku.