Kancelari austriak i kërcënon të pavaksinuarit me izolim

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Kancelari i Austrisë, Alexander Schallenberg, tha të premten në mbrëmje se personat që nuk janë vaksinuar mund të përballen me masa të reja izoluese, nëse shifrat e koronavirusit në vend vazhdojnë të rriten.

Këto komente ai i bëri pas takimit të së premtes mbrëma me udhëheqësit rajonalë për të diskutuar rreth reagimit ndaj rritjes së shpejtë të rasteve në Austri, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Express.

“Pandemia ende nuk është në pasqyrën për pamjen e pasme. Po rrëshqasim drejt një pandemie të të pavaksinuarve”, tha Schallenberg.

Ai shtoi se nëse numri i pacientëve me Covid-19 në repartet e kujdesit intensiv arrin në 500 ose në 25 për qind të kapaciteteve kombëtare në këto reparte, hyrja në restorante e hotele do të rezervohet vetëm për personat e vaksinuar ose që e kanë kaluar virusin.

Nëse numri i pacientëve në repartin e kujdesit intensiv shkon në 600 ose në një të tretën e kapacitetit të përgjithshëm, qeveria planifikon që të vendosë masa kufizuese ndaj personave që nuk janë vaksinuar. Në këtë rast, atyre do t’u lejohej dalja nga shtëpia vetëm për arsye specifike.

Tash për tash, numri i pacientëve me Covid-19 në reparte të kujdesit intensiv është 220. Javën e kaluar, Austria regjistroi gjithsej 20.408 raste të reja, duke e çuar mesataren javore në 228.5 për 100.000 banorë. Një javë më parë, kjo shifër ishte 152.5 për 100.000 banorë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme