Sebastian Kurz triumfoi sërish në Austri, ku partia e tij konservatore fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat sollën gjithashtu një humbje të ndjeshme për partinë e ekstremit të djathtë, FPO.
E gjithë kjo situatë tregon se ndoshta mund të ketë një lloj spostimi të kursit më majtas te vendit por Norbert Mappes-Niediek mendon se kush është më i vëmendshëm dhe e ka ndjekur edhe fushatën zgjedhore në shtator do të dalë në një tjetër përfundim.
Vërtet që koalicioni i i konservatorëve të ÖVP-së dhe të djathtëve të FPÖ-së para dy vitesh së bashku morën katër përqind më shumë vota, vërtet që Të Gjelbrit me 3,8% dolën nga parlamenti para dy vitesh e u rikthyen tani në mënyrë spektakolare, – por kjo nuk do të thotë se ka ndryshuar shumë atmosfera e zgjedhësve dhe orientimi i tyre, thotë analisti.
Ish-kancelari, Sebastian Kurz përfaqëson dhe administron një konsensus të gjerë konservator: është më mirë kështu sic jemi.
Triumi i Kurzit praktikisht, nënkupton se nuk do të ketë luhatje të mëdha nga linja e ndjekur deri tani prej Austrisë, e kjo ndoshta do të reflektohet edhe në politikën e jashtme.
Por cili ka qenë qëndrimi i tij ndaj çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE? Majin e 2018-tës, kur drejtonte ekzekutivin austriak, Kurz qe shprehur se Shqipëria është në rrugën e drejtë drejt integrimit dhe e meriton.
Shqetësimin e vet kryesor asokohe e paraqiste Turqia, për të cilën thoshte se duhet bllokuar, ndërsa u shfaq pozitiv në raport me hapjen e negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ” kushdo që dëshiron të shmangë konfliktet në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojë stabilitetin e nevojshëm për vendet në rajon, duhet ofruar një ofertë e besueshme e perspektivës europiane”./TCH