Kandidatët për deputetë nga lista e përbashkët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit, Haxhi Avdyli dhe Jeta Statovci, kanë mbajtur një takim online me infermierët e rinj të vendit.
Ndër temat kryesore të trajtuara ishin ikja e infermierëve jashtë Kosovës, nevoja e një ligji për saktësimin e përgjegjësive si dhe pritshmëritë e tyre.
Haxhi Avdyli tha se është anomali se si Kosova ka mungesë të kuadrove të mjekëve dhe infermierëve por të njëjtit po largohen nga vendi.
“Kosova ka mungesa të mjekëve dhe infermierëve por në të njejtën kohë kemi rrjedhje të madhe të kuadrove, të mjekëve dhe infermierëve, drejt Gjermanisë, është anomali në kupimin e plotë të fjalës sepse kur ke mungesë nuk duhet të ikin”, tha ai.
Ndërsa, Jeta Statovci theksoi se mosrespektimi i normave nga kolegjet private për numrin e pranimit të studentëve në programet e infermierisë, ka krijuar një fluks të madh të infermierëve.
“Ndoshta hyrja e një vrulli të madh të kolegjeve dhe mosrespektimi i normave se sa studentë duhet pranuar e ka bërë një fluks të madh të infermierëve i cili për tregun kosovar është i paabsorbueshëm”, tha ajo.