Në ditën e parë të fushatës si kandidat presidencial, demokrati nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara, Beto O’Rourke, mblodhi 6.1 milionë dollarë – shumën më të madhe se të çdo kandidati tjetër për zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2020.
O’Rourke arriti të kalojë senatorin Bernie Sanders, i cili në 24 orët e para të fushatës së tij, muajin e kaluar, mblodhi 5.9 milionë dollarë.
Si çdo demokrat tjetër, refuzoi të pranojë para nga grupe lobimi ose korporata me interes të veçantë.
46 vjeçari, është njëri nga 15 demokratët që do të konkurrojnë për nominimin e partisë si kandidat për kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Sipas fushatës së tij, ai mori donacione nga çdo shtet dhe territor, duke arritur në shumën prej 6,136,763 dollarësh. Fushata nuk bëri të ditur se sa kontribues dhanë para.
“Në vetëm 24 orë, amerikanët në të gjithë vendin u mblodhën për të dëshmuar se është e mundur të zhvillohet një fushatë e vërtetë popullore për president”, tha përmes një deklarate O’Rourke.
Kjo nuk është hera e parë që fushata e tij i ka thyer rekordet në mbledhjen e fondeve, transmeton BBC përcjellë Klan Kosova.
Në nëntor, kur Beto O’Rourke ka garuar kundër republikanit Ted Cruz për senator, ai ka thyer rekordet e mbledhjes së fondeve të Senatit, duke grumbulluar më shumë se 80 milionë dollarë.
O’Rourke e ka humbur garën kundër Cruzit, por ai thuhet se ka fituar vëmendjen e mediave dhe të votuesve si një fytyrë e re në Partinë Demokratike, ndërsa është krahasuar edhe me ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama.