Kandidati për deputet nga radhët e Vetëvendosjes, Ardian Gola, thotë se nuk rimëkëmbet ekonomia duke rritur pagat e sektorit publik dhe duke rritur subvencionet sociale.
Reagimi i tij është në kundërshtim me politikat e partisë së tij, e cila gjatë kësaj fushate, por edhe më herët premton rritjen e ndihmave sociale,e të ngjashme, duke synuar thithjen e votave me premtime populiste.
“Nuk jam ekonomist, por një gjë e di: Nuk rimëkëmbet ekonomia duke rritur pagat e sektorit publik dhe duke rritur subvencionet sociale. Aq më tepër kur shumica e bizneseve janë në nivel mbijetese, ndërkohë që ende nuk jemi duke i ditur efektet ekonomike të pandemisë”, ka shkruar profesori i Sociologjisë.
“Po ashtu, nuk mund të ketë ekonomi të zhvilluar përderisa sektori publik e sfidon katërcipërisht tregun privat në sferën e punësimit”, ka theksuar ai.
Ardian Gola iu bashkua para pak ditësh Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe garon me numrin 20 në listën e këtij subjekti.