Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes për Drejtësi që ishte pjesë e LDK-së, Fidan Mustafa ka kërkuar hetim për votat e pavlefshme dhe hetim mbi numërimet dhe regjistrat e KQZ-së.
Mustafa konsideron se shkeljet janë të mëdha, faktet janë evidente për prishje të votës qëllimisht si dhe lexim jo i drejtë i fletëvotimit gjatë procesit të numërimit dhe regjistrimit, raporton Ekonomia Online.
Kjo është komunikata e plotë e Mustafës, me anë të së cilës i drejtohet KQZ-së dhe organeve të hetuesisë:
Edhe unë publikisht i bashkëngjitëm thirrjes së prof. Muhamet Mustafës, për hetim dhe rinumërim te çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 qershorit.
Shkeljet janë të mëdha, faktet janë evidente për prishje të votës qëllimisht si dhe lexim jo i drejtë i fletëvotimit gjatë procesit të numërimit dhe regjistrimit.
Më poshtë po i sjell katër mënyrat e manipulimit të votës që përcollën këtë proces zgjedhor:
1. Duke i prishur fletëvotimet nëpërmjet stilolapsave apo ndrydhjes së fletëvotimit me unazë dore apo mjete të forta;
2. Duke i shtuar fletëvotimit edhe një numër shtesë, pas votimit të saj me pesë kandidatë, e që këtë rast vota i humbet kandidatëve, por jo edhe subjektit/koalicionit;
3. Duke lexuar fletëvotimin me numrat e kandidatëve, numrat e votuar (me mbishkrim) nuk lexohen, por lexohen numrat e porositur, pa qenë fare të votuar në fletëvotim;
4. Duke futur rezultatet në regjistrat zyrtar të KQZ-së, mbi vendvotimin, aty ndryshohen të dhënat dhe i barten votat e një kandidatit kundrejt një tjetri, pavarësisht se në kutitë e votimit, fletëvotimet e dëshmojnë të kundërtën.
Nëpërmjet kësaj shkrese, kërkoj publikisht nga KQZ dhe organet tjera kompetente, si dhe organet e drejtësisë, që në mënyrë profesionale të hetojnë këtë proces zgjedhor i cili në rend të parë dëmton rëndë vullnetin e qytetarëve të vendit dhe vet kredibilitetin e shtetit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, nëpërmjet kësaj shkrese, i bëjë thirrje çdo kandidati për deputet në këto zgjedhje që konsideron se i është dëmtuar vota ndaj tij në çfarëdo forme, që publikisht të kërkohet nga KQZ rinumërim të çdo kutie të votimit për zgjedhjet e 11 Qershorit.