Një kandidaturë e shteteve të Ballkanit për të organizuar Kupën e Botës të vitit 2030 do të ishte mundësi realiste, pasi qeveritë e Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Rumanisë do të ofronin përkrahje për kandidaturën e përbashkët. Këtë e ka thënë të mërkurën ministri i Sportit i Bullgarisë, Krasen Kralev.
Asnjë shtet i Ballkanit nuk e ka organizuar ndonjëherë Kupën e Botës dhe njoftimi i muajit të kaluar kishte ngritur kokat, duke marrë parasysh infrastrukturën e dobët në rajon. Mirëpo, ish-vrapuesi i distancave të gjata në atletikë, Kralev, beson se është një shënjestër e arritshme.
“Kandidatura jonë është plotësisht reale, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të plotësojmë një numër të kritereve të FIFA-s”, ka thënë Kralev 51-vjeçar.
“Por, më lejoni t’ua kujtoj se edhe Rusia nisi të ndërtonte infrastrukturën e nevojshme sportive pasi u zgjodh organizatore e Kupës së Botës të vitit 2018”.
Katërshja e Ballkanit, po ashtu, do të kandidojë për të organizuar Kampionatin Evropian të vitit 2028, duke shpresuar se kjo do t’u ofrojë mundësi për të përmirësuar apo ndërtuar stadiumet e reja.
Kralev ka thënë se Greqia ka njoftuar se do të modernizojë stadiumin e saj olimpik, ndërsa Serbia planifikon të ndërtojë një stadium të ri me kapacitet prej 60 mijë ulëseve.