Kandiq: Me Petkoviqin nuk është më e sigurt të ulesh në tryezën e negociatave

Prishtinë | 14 Tet 2021 | 11:19 | Nga Ekonomia Online

Natasha Kandiq, aktiviste e shoqërisë civile dhe njëherit drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, ka komentuar deklaratën e djeshme të drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kandiq ka thënë se me Petkoviqin nuk është më e sigurt për t’u ulur në tryezën e negociatave, duke iu referuar dialogut Kosovë – Serbi.

“A është normale që një drejtor i zyrës për Kosovën të thotë për kryeministrin e Kosovës se ai është një ‘psikopat dhe i çmendur’? Me të njëjtin zemërim, ai i bën thirrje BE -së të reagojë sepse Policia e Kosovës po sulmon ‘njerëz të paarmatosur’. Me të nuk është më e sigurt të ulesh në tryezën e negociatave”, ka shkruar Kandiq në Twitter.

Pas aksionit të djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, Petkoviqi ka reaguar duke thënë se ky aksion është një provokim i radhës i kryeministrit Kurti, para zgjedhjeve lokale.

Petkoviqi po ashtu ka thënë se për këtë ka lajmëruar edhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Policia e Kosovës ka zhvilluar dje aksion anti-kontrabandë në Pejë, Prishtinë, Mitrovicë të Jugut e edhe atë të Veriut.

Situata më e tensionuar ishte në veri të vendit, pasi protestues serbë shprehën pakënaqësi ndaj aksionit të autoriteteve kosovare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme